Konferenca Rajonale Tripalëshe e nivelit të lartë

Nga: admin | 9 Nov 2015

Prishtinë, 09. nëntor 2015
Prej datës 08 deri më datën 10 nëntor 2015 në Sarajevë u mbajt Konferenca Rajonale Tripalëshe e nivelit të lartë me temën: “Situata aktuale dhe sfidat strategjike të politikave të taksimit, ekonomisë informale dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor“

Fjalimi i Kryetarit të BSPK-së

 

Të nderuar vëllezër e motra sindikalist, zonja e zotërinj, pjesëmarrës të Konferencës Regjionale Trepalëshe.

Shfrytëzoj rastin t’ju falënderohem për këtë organizim, sepse përmes këtij Projekti na u dha mundësia e krijimit të një strategjie të përbashkët për t’iu rekomanduar Qeverive tona lidhur me hapat të cilat duhet ndërmarrë në rikonstruimin e sistemin tatimor, luftimin e ekonomisë joformale, parandalimin e korrupsionit dhe luftimin e tij, me qëllim për të pasur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, e po ashtu përmirësim të mirëqenies së punëtorëve dhe qytetarëve në tërësi.

Në Kosovë, përpos hulumtimeve të shumta që janë bërë në ketë drejtim nga përfaqësuesit Sindikal, ju njoftoj se lidhur me këtë u mbajtën dy seminare me gratë dhe të rinjtë sindikalistë, e po ashtu u organizuan tryeza pune me kryetarët e degëve, gjegjësisht të federatave sindikale.

Gjatë atyre takimeve, pjesëmarrësve dhe federatave sindikale iu janë shpërndarë broshura dhe raport në forme libri.

Me datë 26 shkurt 2015, në Prishtinë u mbajt Tryeza Nacionale me temën: “ SISTEMI DHE POLITIKAT TATIMORE, EKONOMOMIJA JOFORMALE DHE KORRUPSIONI NË REPUBLIKËNE KOSOVËS” , organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Në ketë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues dhe ekspert nga ETUC, PERC, LO Norway, përfaqësues të BSPK-ës, ekspert sindikal, përfaqësuesit e ministrive përkatëse, përfaqësues të KES-it, përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë, përfaqësues nga Oda Ekonomike, Inspektorë të punës, si dhe përfaqësues të shumtë nga mediet elektronike e të shkruara të Kosovës.

Në ketë konferencë pjesëmarrësit diskutuan lidhur me taksimin, ekonomin joformale dhe korrupsionin në republikën e Kosovës si dhe raporti i Ekspertit të ETUC-it Martin Huzbatov, i cili i referohej krahasimit të këtyre çështjeve në mes të shteteve të Ballkanit perëndimor.

Kësaj tryeze iu dha një publicitet i konsiderueshëm, gjë që edhe u përcoll nga të gjitha mediet vendore, të shkruara dhe Elektronike, madje lidhur me ketë temë pati edhe një emision të posaçëm televiziv në të cilin u ftuan ekspertët tanë pjesëmarrës në takim.

Siç ceka edhe me herët, dua ta vë theksin se në këtë drejtim publikuam edhe librin me temat që kanë të bëjnë lidhur me Sistemin Tatimor, Korrupsionin dhe Ekonominë joformale, e që ky libër është përkthyer në të tri gjuhët dhe janë nxjerrë broshura me sloganet “ta pastrojmë ekonominë”

 

Gjendja aktuale ekomomike në Kosovë

 

Si shtet i ri, Kosova ballafaqohet me probleme financiare, me normë të ulët të punësimit, nivelit të lartë të punës së padeklaruar, disiplinës së ulët financiare dhe efikasitetit joadekuat në çështjet tatimore.

Vlen për të përmendur se deri me tash, vendi ynë bukur shumë ka qenë e varur nga remitancat dhe mbështetja e institucioneve financiare evropiane e ndërkombëtare për rregullimin e buxhetit.

Përkundër ballafaqimeve me probleme të shumta, organet qeverisëse të Kosovës kanë për obligim që qytetarëve dhe punëtorisë kosovare t’ju garantoj demokraci, rend publik, funksionim të sistemit ligjor, ekonomik, social, respektivisht t’ju siguroj shërbime shëndetësore, punësim, arsimim, etj.  Andaj përkitazi me këtë, duhet te ketë një menaxhim efikas të resurseve publike.

Po ashtu dua të cekë, se BSPK gjithnjë ka kërkuar nga institucionet tona për një qeverisje të mirë në çështjen tatimore, në luftë kundër mashtrimit tatimor dhe evazionit fiskal, me qëllim që të kontribuoj në rritjen e të ardhurave të vendit.

Pos kësaj, mendojmë se sindikatat duhen të jenë të përfshira në hartimin e buxhetit shtetëror. Po ashtu pos kësaj, konsiderojmë se institucionet vendore duhet te merren edhe me uljen e shpenzimeve në dikasteret e veta, pastaj të ndërmarrin veprime adekuate lidhur me kryerjen e shërbimeve cilësore e efikase publike, duke mos harruar për asnjë çast në ndërmarrjen e masave strategjike lidhur me uljen e papunësisë, varfërisë ekstreme, e po ashtu ta orientoj arsimimin në pajtim nevojat e tregut të punës, si ne vend ashtu edhe për tregun e jashtëm.

Sa i përket politikës fiskale, qeveria e Kosovës duhet t’i përmbush një serë kriteresh, e sidomos të angazhohet për një sistem efikas tatimor të lehtë për administrim, verifikim dhe kontrollim.

Lidhur me këtë, gjatë përpilimit të këtij projekti, BSPK ka rekomanduar një sërë masash të cilat qeveria e Kosovës duhet t’i ketë parasysh, e sidomos lidhur me përmirësimin e gjendjes aktuale, duke ndërmarr edhe reforma në këtë drejtim përkitazi me strategjinë e qeverisjes për periudhën 2015-2020.

Në këtë drejtim, Kosovës i nevojitet efikasitet në zbatimin e ligjeve, me qëllim për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Për ta arritur këtë qellim, Kosova duhet të ndërmerr masa ekonomike ku kishte për të pasur lirime doganore për lëndën e parë, të ketë pushime tatimore për investitor, të ketë politika tregtare konkurruese dhe përmirësim të mjedisit biznesor, të ketë një sistem të qëndrueshëm financiar, ku vend të veçantë do të zëntë hartimi i projekt strategjisë për hapjen e vendeve të punës në partneritet publiko-privat, me ç’rast kishin për t’u përfshirë remitancat e bashkëqytetarëve tanë të diasporës, për investime në bujqësi, në ndërmarrje të vogla e të mesme, në energji, në zhvillim të turizmit etj.

Pos masave të përmendura, Kosovës i nevojitet edhe përmirësimi i politikave sociale, siç është fondi për punësim, programet për trajnime etj.

Sa i përket shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe sistemi pensional, duhet theksuar se që nga viti 2016 duhet të filloj aplikimi i sigurimeve shëndetësore dhe krijimi i fondeve për shëndetësi, pastaj reformimi i skemave pensionale dhe fondeve tjera sociale.

Pos problematikave të cekura, ne BSPK mendojmë se edhe gjatë viteve të ardhshme duhet vënë dialog me partneret social lidhur me përcaktimin e pagës minimale për çdo vit kalendarik, e ndonjëherë nëse është e nevojshme edhe të bëhet trysni sindikale në këtë drejtim.

Problem tjetër shqetësues për BSPK është ekonomia joformale dhe korrupsioni.

Sa i përket Ekonomisë joformale mund të thuhet se ky segment ndikon në çrregullimin e rrjedhave ekonomike të Kosovës, siç është zvogëlimi i mjeteve buxhetore, çrregullimi i tregut dhe paraqitja e konkurrencës jolojale.

Për të pasur sa më shumë mundësi që të hyrat buxhetore të ritën, është e obligueshme lufta kundër jo-formalitetit dhe korrupsionit.

Sipas mendimit tim, projekti e ka arritur qëllimin, për çfarë të gjithë kemi qenë të angazhuar, sepse edhe synimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në familjen e madhe të Bashkimit Evropian.

Para se ta përmbylli fjalën time, dua t’i falënderoj te gjithë pjesëmarrësit në ketë projekt, që pas një pune tre vjeçare, të ekspertëve ndërkombëtarë e në bashkëpunim me ekspertët e vendeve të Ballkanit Perëndimor rreth Politikave Tatimore dhe Buxhetore në shtetet e Unionit Evropian dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, e në mbështetje nga Sindikatat LO të Norvegjisë, në vitin 2015 u soll raporti përfundimtar rreth kësaj çështjeje ku sot në ketë tryezë ndërkombëtare jemi bashkuar ta sublimojmë këtë projekt, i cili sipas mendimit tim ka qen i suksesshëm. Andaj, për tërë këtë punë dua që të falënderoj PERCU-n, ekspertët ndërkombëtar, z. Martin Huzbatov, z. Grigor Gradev dhe znj. Enisa Sallimovic nga Zyra e PERC-ut në Sarajevë me gjithë stafin e sajë.

Një përshëndetje shkon edhe për përfaqësuesit tonë Sindikal z. Ali Vitija, znj Rexhepi dhe znj Mehaj, të cilët kanë punuar pa u lodhur në këtë drejtim duke bërë hulumtime të cilat edhe i prezantuan në konferencat e mbajtura përmes këtij projekti gjatë tri viteve të kaluara.

Shpresojmë se bashkëpunimet rajonale nuk do mungojnë, ngase qëllimi i sindikalistëve është mbrojtja e ligjshmërisë së të drejtave të punëtorëve pa dallim origjine, nacionaliteti, bindje politike, fetare etj,

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj.

 

 

 

Shpërndaje