SPDK dënon ashpër sulmin ndaj oficerit doganor në qytetin e Podujevës

By: Administrator | 25 Nov 2026

DEKLARATË PËR MEDIA

SPDK dënon ashpër sulmin ndaj oficerit doganor në qytetin e Podujevës

Prishtinë, 25 nëntor 2026

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës (SPDK) dënon ashpër sulmin e raportuar ndaj oficerve doganor, të martën, më 24 nëntor, në qytetin e Podujevës.

Sipas informacioneve të deritanishme, incidenti ka ndodhur gjatë një kontrolli doganor të një automjeti në kuadër të një rasti me dyshime për kontrabandë me telefona celularë. Dyshohet se drejtuesi i automjetit, pasi iu dha urdhri për të ndaluar për kontroll, e goditi me automjet oficerin doganor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Jemi të lehtësuar që kolegët tanë kanë shpëtuar nga një incident që mund të kishte pasoja shumë më të rënda. Kolegve të lënduar i urojmë shërim të shpejtë dhe i shprehim solidaritetin tonë të plotë.

U bëjmë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të hetojnë me urgjencë rrethanat e rastit dhe të ndërmarrin veprimet që parashikon ligji.

Oficerët doganorë punojnë çdo ditë me profesionalizëm dhe përkushtim në terren, në pikëkalimet kufitare dhe në terminale. Me punën e tyre parandalojnë kontrabandën, mbrojnë të hyrat publike dhe kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve. Gjatë ndalimit të automjeteve dhe kontrolleve në terren, ata përballen drejtpërdrejt me rreziqe fizike që e dallojnë punën operative doganore nga puna administrative. Ky dallim duhet të pasqyrohet në mbrojtjen dhe kompensimin e tyre.

SPDK rithekson se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik në vitin 2023, oficerët doganorë nuk kanë marrë shtesë të veçantë për rrezikshmëri. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që pa vonesë:

  • Të sigurojë pagesën e shtesës për rrezikshmëri në përputhje me ekspozimin gjatë detyrave operative doganore.
  • Të sigurojë mbulim shëndetësor dhe sigurim për lëndimet në detyrë dhe invaliditetin, duke përfshirë trajtimin, rehabilitimin dhe kompensimin në rast të humbjes së aftësisë për punë.
  • Të forcojë masat e sigurisë gjatë kontrolleve doganore në terren, në pikëkalimet kufitare dhe në terminale, në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë e Kosovës.

Oficerët doganorë që zbatojnë ligjin dhe mbrojnë interesin publik meritojnë mbrojtje në detyrë, mbështetje kur lëndohen dhe kompensim që pasqyron rrezikun e punës së tyre.

Write a comment