Njoftim lidhur me takimin me Avokatin e popullit

Nga: admin | 17 Jan 2020

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Doganës z.Vitija, bashkë me përfaqësuesit e sindikatave tjera si FSSHK, SP, SBASHK, Sindikatës së zjarrfikëseve etj. me dt. 17.01.2020 kanë zhvilluar takim me Avokatin e Popullit.
Sindikatat në fjalë paraprakisht i janë drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit me një parashtresë sipas së cilës i kanë kërkuar nga Avokati i popullit që bazuar në dispozitat e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregullores së Punës të Gjykatës Kushtetuese, nenit 57, pika 10 dhe 11, t’i parashtroj në Gjykatën Kushtetuese kërkesat e tyre për revokimin e masës së përkohshme (pezullimit) për Ligjin e Pagave, të vendosur përmes vendimit të datës 12.12.2019 për lëndën KO 219/19.

Një ndër të tjera Avokatit të Popullit në këtë takim ju bë më dije se pothuajse mbi 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) punëtor të sektorit publik nga shtyllat vitale të vendit si shëndetësi, arsim, shërbimet e sigurisë (Polici, Doganë, shërbimi i zjarrfikësve) presin implementimin e këtij ligji, duke mos mohuar faktin se për ndonjë kategori të të punësuarve mund të kenë rrjedhur gabime ose lëshime, të cilat shumë me lehtë do të mund të evitohen përmes amendamenteve që do të mund të bëhen në këtë ligj nga Kuvendi i Kosovës.

Avokatit të popullit ju bë me dije se duhet pasur parasysh që implementimi i këtij ligji konformë përcaktimeve ligjore të parapara, do të jetë një shtytje për punë dhe planifikim të ngritjes së karrierës brenda vendit për shumë profile të punëtoreve që veç kanë filluar që t’i trasojnë rrugët e Evropës për të kërkuar punë dhe paga më të dinjitetshme se sa që u ofron aktualitet i vendit tonë.

Ndër të tjera Kryetari i SPDK-së z. Vitija, para Avokatit të Popullit theksoj faktin që është nevojë imediate që të kemi një ligj në nivel vendi që do t’i rregulloj pagat e punëtoreve të sektorit publik pasi që të njëjta janë rregulluar me ligje selektive apo me akte nënligjore. Konkretisht për punëtoret e Doganës sikurse edhe për punëtoret e institucioneve tjera është domosdoshmëri që paga të rregullohet më këtë ligj dhe jo me akte nënligjore, marrë parasysh e që aktet nënligjore po i hartojnë organet më të larta të institucioneve, ne ç ‘rast varësisht nga diskrecioni i pozitave menagjeriale po ndryshojnë edhe aktet e brendshme nënligjore që rregullojnë fushën e marrëdhënies së punës dhe konkretisht edhe koeficientet e pagës dhe shtesat tjera mbi pagën bazë.

Ndaj, në mënyrë që të kemi një stabilitet dhe siguri juridike tek punëtoret është shumë i mirëpritur që të implementohet Ligji i pagave, duke mos mohuar faktin që për lëshimet apo shkeljet eventuale (nëse ekzistojnë në këtë ligj) të punohet që të rregullohen përmes amendamentit të këtij ligji.